Interepelancë për qendrën sociale ‘Besa’ në Vaun e Dejës, Hila: Janë 19 punonjës për 22 persona që marrin shërbim! Paguani kuzhinier, megjithëse dreka merret me katering! Ministrja: Rezulton se plotëson standardet

14 Prill 2022, 11:45 | Përditesimi: 14 Prill 2022, 11:45

Menaxhimi i qendrës së shërbimeve sociale ‘Besa’ në Barbullush’ të Vaut Të Dejës, ishte në qendër të diskutimit ndërmjet interpelancës së ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, të kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Zef Hila. Sipas deputetit demokrat, administrimi i qendrës sociale është jashtë vëmendjes së institucioneve dhe ministrisë. Hila tha se fondet e deleguara nga ministria, janë vetëm për punësime abuzive, ndërsa në terren nuk është kryer asnjë inspektim për punën e qendrës sociale dhe shërbimin ndaj personave që duhet të marrin shërbim. Sipas Hiles, në qendrën sociale janë punësuar 19 punonjës për 22 persona që duhet të marrin shërbim. Hila tha ofrimi i shërbimit nuk është në nivelin e kërkuar, ndërsa kërkoi ngritjen e grupeve të kontrollit për aktivitetin e kësaj qendre.

Në fjalën e saj ministrja e Shëndetësisë, tha se janë kryer inspektime vazhdimisht dhe qendra është monitoruar dhe se rezulton se është një qendër që i plotëson standardet baze dhe po punon për ti arritur. Sipas ministres, janë kryer vizita periodike për të gjitha aspektet e vlerësimit, ndërsa shtoi se forma e financimit është miks, dhe që një pjesë e mbulon MF, por e rëndësishme është që të përcillet qëndrueshmëria e shërbimeve.

Ogerta Manastirliu: Ne jemi të vetëdijshëm që kemi shumë punë për të bërë për ngritjen e qendrave sociale. Ministria e Shëndetësisë ka prioritet cilësinë e shërbimeve sociale. Nëpërmjet fondit sociale, si një mekanizëm i ngritur për të financuar mbështetjen ne kemi ngritur 35 shërbime sociale në 32 bashki të vendit, duke mbështetur më shumë se 4180 individë, të cilët janë individë në nevojë. Në qendrën Besa në Babrullush, mbështetja nuk ka munguar, ashtu si për ketë qendër edhe për 8 qendra të tjera në gjithë vendit. Kemi instrumenta sot të cilat financojnë shërbimet sociale.

Sh.Sh/Shqiptarja.com