Kadastra e Vlorës që 'ha' drejtuesit/ Largohet nga detyra drejtoresha e komanduar, drejtoi institucionin vetëm për katër ditë

2 Qershor 2020, 14:54

VLORËKatër ditë ka zgjatur zgjatur eksperienca e Viola Himës në krye të Kadastrës së Vlorë.

Ditën e sotme, Hima është larguar, teksa në vendin e saj u caktua Jurgen Pilkati. Ajo u komandua në këtë institucion 4 ditë më parë, pas largimit të Bilal Aliaj, që u dorëhoq rreth një javë më parë.

Si është historia e këtij institucioni, që brenda 9 muajsh ka ndërruar 6 drejtorë?  Bilbil Aliaj zëvendësoi në këtë post Taulant Canametin, drejtuesin e komanduar që qëndroi në krye të Kadastrës së Vlorës për rreth 4 muaj, pas dorëheqjes të bordit drejtues. Para Canametit në krye të Kadastrës ishte  Elona Hodaj, e cila mori detyrën më 19 shtator. Shkak i largimit të drejtuesve të Kadastrës së Vlorës është bërë një vendim i Gjykatës së Lartë për një pronë në bregdet në Jalë.

Para Hodajt në krye ka qenë Alteo Nazeraj, një nga punonjësit e Kadastrës që ndenji vetëm 10 ditë në detyrë, ku ish-drejtori Florian Almadhi kishte kërkuar hetim për tjetërsim pronash. Florian Almadhi dha dorëheqjen pas 5 muajve në detyrë, ndërsa së bashku me të janë shkarkuar n/drejtori dhe tre specialistë të institucionit më 9 shtator 2019.

Në datën 11 shtator zbarkoi në këtë institucion anti-krimi ekonomik, ndërsa në hetim u  vendosur 23 punonjës, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar pronën e një personi në Jalë duke ia kaluar një tjetri. Report Tv siguroi edhe një urdhër, që ish-drejtori Almadhi në 25 qershor 2019 lëshoi për një hetim për 21 specialistë lidhur me tjetërsimin kësaj prone. Mes specialistëve të hetuar ishte dhe Alteo Nazeraj.