'Kafja e Madhe' në Shkodër, pezullohen punimet restauruese

1 Qershor 2021, 16:02

Punimet për restaurimin e objektit, monument kulture "Kafja e Madhe" në Shkodër janë ndërprerë për shkak se investitorit privat i ka skaduar leja e ndërtimit. Vendimi është marrë nga Drejtoria e Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër. 

Objekti tradicional i këtij qyteti prej disa muajsh është në rikonstruksion, por rinovimi i lejes ka shkaktuar përplasje mes institucioneve. Leja për rindërtimin e Kafes së Madhe është marrë në 2016 ndërsa tani duhet rinovimi i lejes për të vazhduar punimet, ndërsa është shembur pjesa më e madhe e saj duke ruajtur fasadën siç parashikohet në projekt.

Drejtoresha e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, Majlinda Laçej shpjegoi se investitori Agron Çelaj kishte marrë një leje në vitin 2016 për restaurimin e Kafes së Madhe, ndërsa punimet i ka nisur në vitin 2021. Për shkak të kësaj vonese, leja ka skaduar dhe do të duhet ta rinovojë në Ministrinë e Kulturës dhe në Këshillin Kombëtar të Monumenteve.

"Pronari ka depozituar një projekt restaurimi dhe mirëmbajtje për objektin Kafja e Madhe, ky projekt është miratuar në korrik 2016 por deri në ditët e sotme nuk është zbatuar. Në momentin kur nisën punimet, personat në kantier thanë se kanë marrë leje nga Bashkia në mars 2021, dua të sqaroj se përpos lejes së bashkisë duhet edhe leja nga Drejtoria e Trashëgimisë. Informuam personat e gjetur në kantier se duhet ndjekur procedura që duhet të ridërgohet edhe njëherë projekti për rishqyrtim në Institutin Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore", tha Laçej.