Këlliçi: Më shumë thërrasin ‘Basha ik' se ‘Rama ik’, PD i duhet kohë të analizojë ku gaboi!

3 Maj 2021, 22:29 | Përditesimi i fundit: 2021-05-03 22:49:55

Belind Këlliçi, i cili u zgjodh deputet nga zgjedhjet e 25 prillit në Partinë Demokratike, i ka cilësuar thirrjet për largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD nga demokratët e zhgënjyer, si të nxituar dhe se partisë dhe strukturave drejtuese të saj duhet t’i jepet koha e duhur për të bërë analizën se ku kanë çeduar dhe ku kanë gabuar për të nxjerrë mësimet e duhura. Në një intervistë për “5 pyetjet nga Babaramo” në Report Tv, Këlliçi u shpreh i shqetësuar duke thënë se sot njerëzit më shumë thërrasin ‘Basha ik’ se sa ‘Rama ik’ duke thënë se ‘ata që gjuajnë me gur’ duhet të shohin fillimisht nga vetja se sa vota sollën në parti dhe sa e ndihmuan atë në zgjedhje.

“Ajo që ka nevojë sot PD është për t’i dhënë kohë demokratëve që kanë kritika edhe ndaj lidershipit,  gjykoj se nuk është momenti i duhur dhe se duhet të bëhet një analizë e vërtetë, për të nxjerrë  disa mësime dhe nxjerre leksione se ku kemi çeduar edhe vete, ku kemi gabuar, duhet ti jepet kohe PD të bëjë këtë analize. Kemi çeduar edhe ne, nuk kemi qene perfekt, por 3 javë pas zgjedhjeve të dalim në konkluzione finale është e gabuar, është shumë shpejt, nëse duam një proces të vërtetë duhet kohë, nëse duam t’i hedhim hi syve anëtarëve tonë le të bëjmë një analizë që sot. Problemi më i madh është se shumë persona po thërrasim Basha ik se Rama ik, ata që gjuajnë me gur duhet të shohin edhe nga vetja çfarë pune kanë bërë, sa vota sollën në parti apo a bënë fushatë për partinë duhet secili duhet të bëjë një analizë për veten e tij fillimisht”, tha Këlliçi.

Një tjetër problem që doli nga zgjedhjet dhe është shqetësuese për të gjithë partitë është edhe numri i lartë i votave të pavlefshme, konkretisht 83 mijë fletë votimi. Për këtë Belind Këlliçi bën përgjegjës Ramën pasi ishte ai që këmbënguli ta bënte fletën e votimit me numra si letër bingo duke “vjedhur mandatin e ndryshimit” . Sipas tij shumica dërrmuese e votave të pavlefshme janë në favor të PD dhe nëse do të ishin të vlefshme do të sillnin ndryshimin e rezultatit më 25 prill.