Koduzi: Vetëm testimi dhe gjurmimi ul numrin e rasteve, jo masat kufizuese! Mjekja Kuli: Qytetarët nuk i respektojnë ndaj rriten të infektuarit

10 Nëntor 2020, 22:22

Masat kufizuese të vendosura në Shqipëri kanë sjellë replika mes Shefit të Shëndetësisë pranë PD-së, Gazmend Koduzi dhe mjekes Gjeorgjina Kuli në emisionin Repolitix. Mjekja pediatre u shpreh se masat e marra janë të drejta dhe vijnë si pasojë e një analize epidemiologjike në vend teksa do të pritet që të shihen rezultatet në javët në vazhdim.

"Aktiviteti i domosdoshëm mund të kryhet edhe më herët se orari i kufizimit. Grumbullimet në lokale të të rinjve. Tani do të shihet edhe impakti që do të ketë në shoqëri. Këto masa do t'i japin kohë dhe bizneseve që të përshtaten. Po shqyrtohen shumë aktivitete. Jemi përpjekur që të bëjmë maksimumin" - tha Kuli.

Ndërkohë që Koduzi deklaroi se ato masa nuk do të kenë asnjë ndikim njësoj siç nuk kishte dhe vendimi për vendosjen e maskave. Ndërsa sipas Kulit, mosrespektimi i kësaj mase ka sjellë në rritjen e shifrave.

"Tirana është shumë më e madhe. Unë mendoj që do të ketë 0 ndikim. Kujtojmë që përpara 3 javësh vendosën mbajtjen e maskave" - tha Koduzi.

"Nuk e kanë mbajtur maskën. Nuk mund të thuash që nuk ka pasur efekt" - tha mjekja.

Koduzi shprehet se vetëm testimi dhe gjurmimi epidemiologjik do të sjellë uljen e numrit të të infektuarve.

"Gjurmimi e izolimi i rasteve i jep fund rritjes së infektimit. Këto janë esenciale. Ne jemi vendi i fundit në rajon nga testimet. Sa më shumë testime të bësh aq më shumë raste do të kesh. Ne e kemi më të ultën në rajon, numrin e testimeve për milion banorë. Unë personalisht jam kundër çdo lloj mase kufizuese, por në shtimin e testimeve dhe gjurmimeve epidemiologjike" - tha Koduzi.