Konjufca: Nuk mjafton të jemi 2 shtete fqinje të mira! Të funksiojmë si 2 vende të një kombi të vetëm

7 Qershor 2021, 12:01 | Përditesimi i fundit: 2021-06-07 12:15:45

Për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, marrëdhëniet shumë të mira mes dy shteteve si Shqipëria dhe Kosova nuk mjaftojnë pasi këto marrëdhënie duhet të jenë në një nivel tjetër pasi bëhet fjalë për 2 vende të një kombi të vetëm.

"Ne po e vazhdojmë traditën e mirë të shtetit tonë që vizitën e parë të kreut të KUvendit të Kosovës e bën në republikën e Shqipërisë. Ne kemi interesa të njëjta sepse jemi një komb, ndaj unë mendoj se të tillë duhet t'i kemi edhe politikat. Ne diskutuam për nevojën e thellimit të bashkëpunimit në disa fusha. Unë mendoj se bashkëpunimi duhet të ngrihet në një nivel tjetër, jo si dy vende fqinje të mira por si dy vende që konstituojnë një komb të vetëm", tha Konjufca.

Duke cekur çështjen e gjyqit të ish-drejtuesve të UÇK në Hagë, Konjufca tha se lufta e shenjtë e shqiptarëve në Kosovë ishte e gjithë kombit ndaj duhet të mbrohetr nga të gjithë.

"Lufta jonë e shenjtë, e drejtë dhe e pastër e UÇK-së ka qenë edhe e gjithë kombit shqiptar. Prandaj si e tillë duhet të mbrohet nga të gjithë", tha ai.