Lufta ndaj pastrimit të parave, kryeprokurori Olsian Çela: Vlerësimet janë shqetësuese, forca goditëse nuk është në nivelin e duhur

24 Maj 2022, 14:54

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela foli për pastrimin e parave duke sugjeruar që të ketë ridimensionim të angazhimit të çdo strukture. Në raportin para Këshillit Kombëtar të Integrimit, tha se janë shqetësuese vlerësimet për qarkullimin e parave që burojnë nga aktivitete të paligjshme.

“Sa i përket pastrimit të parave, me gjithë masat që janë marrë dhe ka një përmirësim të shifrave jam i mendimi se nuk behët mjaftueshëm në këtë drejtim. Të gjitha vlerësimet janë për nivele  shqetësuese të qarkullimit të parave që burojnë nga aktivitete të paligjshme. Ndërkohë që  forca goditëse nuk është në nivelin e duhur. Kemi bërë përpjekje maksimale si ne ngritjen e strukturave, me trajnime dhe forcimin e kapaciteteve. Por nuk është bërë sa duhet. Ka nevojë për ridimensionim të angazhimit të çdo strukturë për luftën kundër pastrimit të parave”, tha Çela.