Sali Berisha ka komentuar takimin e Alibeajt për zgjedhjen e presidentit.
“Përveç autoritetit që i jep Edi Rama Alibeajt nuk ka asnjë autoritet dhe tagër nga PD e Shqipërisë. Çdo veprim i tij është sinkronizim i një farse të shpifur të zgjedhjes së presidentit të republikës nga Edi Rama me opozitën. Duhet të dënojnë me ashpërsinë më të madhe pikëpamjen e Edi Ramës të konsiderimit të emigracionit dhe diasporës si një zonë e vecantë elektorale. E paralajmëroj këtu, të mos luajë me liritë dhe të drejtën e miliona shqiptarëve që janë sot në të katër anët e botës. Ata do ushtrojnë të drejtën e votës së tyre për kandidatët e qyteteve apo zonave të vendeve të tyre të origjinës. Çdo përpjekje që shprehu nëpërmjet veglës së tij Alibeaj për një zonë të veçantë për emigracionin është antidemokratike, antishqiptare, është një fyerje e madhe që u bëhet emigrantëve dhe diasporës shqiptare në të katër anët. Do të hasë kjo në një rezistencë mbarëkombëtare”, tha Berisha.