Mbretëria e Bashkuar prezanton planin e ri anti-COVID, miraton vaksinimin për fëmijët e moshës mbi 12 vjeç

14 Shtator 2021, 14:20

Pandemia nuk ka marrë fund ", por  "falë programit tonë fenomenal të vaksinimit, ne jemi në gjendje të jetojmë me virusin pa kufizime të mëdha në liritë ", është shprehur kështu kryeministri britanik Boris Johnson gjatë prezantimit të planit të ri për mbajtjen nën kontroll të COVID-19.

Johnson njoftoi se do të vazhdohet me shpejtësi fushata e vaksinimit për administratën shtetërore, doza e tretë përforcuese për të gjithë mbi 50 vjeç dhe gjithashtu vaksinim për fëmijët mbi 12 vjeç.

Imunizimi i adoleshentëve  do të fillojë javën e ardhshme dhe do t'i ofrohet vetëm një dozë sepse është parë që pas së dytës ka më shumë efekte anësore.

Të hënën, specialistët kryesorë mjekësorë të Anglisë, Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut rekomanduan që fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç t’u jepet një dozë e vetme e vaksinës Pfizer/BioNTech, pavarësisht se këshilltarët e vaksinave nuk e rekomanduan një gjë të tillë.

Vendet e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Francën dhe Italinë, tashmë ofrojnë vaksina kundër koronavirusit për fëmijët 12 vjeç e lart.

Për momentin në Britaninë e Madhe nuk ka kufizime në fuqi pasi të fundit u hoqën me 19 korrik.