Me një terren të thepisur malor dhe rrethuar nga liqenet akullnajore të Lukovës, Mokra destinacion për turistët vendas dhe të huaj

3 Qershor 2021, 18:45

Një panoramë çlodhëse ku syri nuk ngopet me gjelbërimin dhe natyrën e rrethuar nga kurora pyjesh dhe bredhi.

Kjo është pamja që të ofron fshati Mokër në Pogradec, i njohur për resurset e natyrës, historinë dhe traditën. Së fundmi po tërheq vëmendjen e shumë vizitorëve vendas dhe të huaj.

Edhe pse me një terren të thyer malor kjo zonë është kthyer në një atraksion të veçantë turistik ku të rinj nga Korça, Pogradeci e Librazhdi kanë zgjedhur të përqafojnë sportin e hiking duke zbuluar mrekullitë që gjenden përreth Mokrës.

 “Jemi këtu tek Liqenet e Lukovës, janë dy liqene natyralë me origjinë akullnajore që ndodhen 1851 m mbi nivelin e detit që është liqeni i madh dhe 1705 m mbi nivelin e detit liqeni i vogël,këto dy liqene janë një atraksion natyror për të gjithë të apasionuarit e natyrës”, shprehet një i ri vizitor.

 

“Ne vijmë nga Librazhdi, një zonë shumë e bukur,  kemi parë sot liqenet e Lukovës që janë një pasuri e madhe kombëtare dhe realisht jemi shumë të impresionuar me bukuritë që kemi gjetur këtu dhe banorët vendas këtu”, thotë një qytetar tjetër.

Për të rinjtë Mokra është një ndër vendet ku turizmi meriton vëmendje pasi mungon infrastruktura përgjatë gjithë itinerarit drejt liqeneve akullnajore të Lukovës.

Sinkron vizitorët “Itinerari ishte me një vështirësi mesatare. Pamja është shumë e bukur. Terreni është malor, liqenet janë fantastike. Edhe pse na ra pak shi por që ja vlen për ta marrë këtë aventurë për pamjen që shikon”, shprehët një turiste.