Ministri i Jashtëm grek: Greqia përkrah liberalizimin e vizave dhe dialogun Kosovë - Serbi!

4 Qershor 2021, 16:23

Greqia mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe dialogun me Serbinë, është shprehur kështu ministri I jashtëm grek pas takimit me Ministren e jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla.

“Ne mbështesim vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe u bëj thirrje të gjitha palëve që të rrisin përpjekjet për të arritur një zgjidhje detyruese ligjore dhe të qëndrueshme. Kjo zgjidhje do të stabilizojë mbarë rajonin dhe do të sjellë rajonin më afër familjes evropiane. Ne besojmë që Ballkani Perëndimor i takon Evropës dhe duhet të jetë pjesë integrale e BE-së, në këtë drejtim kemi qenë në favor të liberalizimit të vizave, meqë keni përmbushur kriteret. Për këtë ne kemi mbajtur qëndrim në Këshillin e ministrave dhe do të vazhdojmë të mbështesim në drejtim të kësaj çështjeje”, ka deklaruar ai.

Në fjalën e tij ministri grek ka theksuar se Greqia është duke thelluar marrëdhëniet ekonomike me Kosovën.  Ministrja e jashtme e Kosovës Gërvalla, theksoi se Kosova dhe Greqia janë pajtuar që në të ardhmen të avancohet statusi i zyrës së Kosovës në Athinë, nga një zyrë e thjeshtë ekonomike në zyrë interesi, në çështje jo vetëm ekonomike, por edhe në fusha tjera si ato politike. .

“Pavarësia e Kosovës është fakt i patjetërsueshëm dhe sa më parë të pranohet një fakt i tillë aq më shpejt sigurohet një perspektivë e qëndrueshme për rajonin, Kosovën dhe Serbinë. Por, duke pasur parasysh që Greqia pavarësinë e Kosovës e sheh ende nga një këndvështrim tjetër, ne afirmojmë që me Greqinë dhe partnerët tjerë të BE-së dhe jashtë saj, të vazhdojmë dialogun edhe rreth kësaj çështjeje”, ka deklaruar Gërvalla.