Mjekët në Repolitix: Italia dhe Gjermania drejt vaksinës ruse, në Turqi 9 mln të vaksinuar me atë kineze! Bejtaj: S'mund të etiketohen vaksinat nga flamujt

5 Mars 2021, 13:33

A janë opsion vaksinat ruse dhe kineze për COVID-19 në Shqipëri? Kjo ishte pyetja që solli diskutime mes mjekëve në emisionin "Repolitix" në Report Tv, ku në përgjithësi ishin në një mendje që Shqipëria duhet të sjellë sa më shumë vaksina që janë efikase pa parë origjinën nëse është ruse apo kineze pasi populli ka nevojë të vaksinohet dhe e vetmja gjë që intereson është efektshmëria e tyre. Sipas tyre skepticizmi që ndodh edhe nga EMA për certifikimin e  Sputnik-V apo vaksinën kineze Sinopharm ndodh për arsye gjeo-politike. Edhe në një sondazh të bërë nga Report Tv,  60.8% e qytetarëve që votuan dëshironin që Shqipëria të ishte e hapur ndaj vaksinës ruse e kineze, ndërsa 31.9% ishin kundër.

Për kirurgun Engjëll Bejtaj vaksinat nuk duhet të etiketohen në bazë të origjinës, dhe se Shqipëria nuk ka kapacitete t'i refuzojë dhe se populli ka nevojë të vaksinohet.

"Edhe rusët edhe kinezët kanë një teknologji shumë të përparuar edhe në këtë fushë. Në një kohë kur je i rriskuar nga një infeksion nuk mund të bësh naze. Ne s’kemi asnjë mundësi të diskutojmë në këtë fushë dhe për ne EMA është një institucion i besueshëm. Unë do të thoja që qeverisë i takon të bëjë një politikë për të mos i etiketuar vaksinat për nga origjina. Vaksina është një tjetër gjë, ashtu siç marrim medikamente edhe nga Turqia edhe nga shtete të tjera. Dhe në politikën e zgjidhjes së këtij problemi nuk duhet humbur kohë.’- tha Bejtaj.