Muharrem Xhydollari: Me babanë, një jetë mes hekurave të burgut

17 Tetor 2022, 22:16

Muharrem Xhydollari, Hudënishti, ka marrë përsipër, në familjen e tij, barrën e rrëfimit të një historie të vështirë me shumë plagë, me stacione të ndritshme patriotizmi por edhe përjetimet, reflektimet , kujtime e tij individuale dhe analizën e një sistemi që tjetërsoi thelbin e njeriut përgjatë gjysëm shekulli diktaturë. Prej vitesh ai e ka nisur këtë përballje me historinë dhe këtë sipërmarrje për ta rrëfyer e botuar, përmes librave të tij: “Hudënishti në rrjedhat e historisë, “mbi honin e ferrit” dhe “Komunizmi, masati i zjarrit të së keqes”. Në rrëfimet e tij ka disa stacione, që nga gjyshërit dhe fiset që ata përfaqësonin deri tek kulmi i historisë së familjes së tyre, të cilët ranë pre e hakmarrjes politike të regjimit komunist, për shkak të angazhimit të tyre në forcat e Legalitetit përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Hakmarrja ndaj Nuri Hudënishtit, dhe fati i tij tragjik, do të niste ortekun e furishëm të dhunës komuniste mbi familjen e tyre.