Muharrem Xhydollari: U pushkatuan duke thënë Rroftë Shqipëria

24 Tetor 2022, 22:36 | Përditesimi i fundit: 2022-10-25 07:06:54

Nëntori i vitit 1975. Gjashtë djem të rinj, për shkak të një rrethane misterioze, ishin gjendur së bashku në burgun e Spaçit. Kishin ardhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë: nga Pogradeci, Devolli, Kolonja, Vlora dhe Fieri.... Ishin arrestuar të gjithë në të njëjtën datë, me 27 gusht 1975. Ishin dënuar, po ashtu në të njëjtën datë, me 6 nëntor 1971. Në fund i kishin dërguar të gjithë në Spaç. Rrethana që i lidhte nuk ishte vetëm kjo. Ata do ta mësonin kreun e historisë që i lidhte vetëm kur të flisnin me njëri-tjetrin, diku në një prej galerive të errëta të piritit në Spaç. Vetëm atëherë do ta kuptonin se historia që i bashkonte ishte ngjarja e 10 korrikut 1946, kur ishin pushkatuar, në Gjonomadh të Korçës, para 1500 ushtarëve, 6 nacionalistë të shquar, të cilët i kishin kundërshtuar idetë komuniste që në kohën e Luftës, dhe nuk ishin pajtuar kurrë me regjimin komunist. Këtë histori, e tregon Muharrem Xhydollari, nipi i Nuri Hudënishtit, një prej të pushkatuarve të ngjarjes së bujshme në Gjonomadh të Korçës.Vetëm për shkakun se ishte nipi i Nuriut, Muharremi do të niste një udhëtim të vështirë plot një dekadë në galeritë e vdekjes në Spaç.