Muzhaqi: Vullneti i qytetarëve për mbështetjen sociale të nënave me fëmijë të mitur do të kthehet në politika konkrete

11 Prill 2022, 22:14 | Përditesimi: 11 Prill 2022, 22:14

Vlerësimi dhe përkrahja që qytetarët i kane dhënë pyetjes për mbështetjen e veçantë sociale për nënat me tre ose më shumë fëmijë të mitur, do të materializohet në politika dhe hapa konkrete”.  Kështu ka deklaruar ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në seancën plenare të 11 prillit, në lidhje me rezultatin e Këshillimit Kombëtar, ku 81% e qytetarëve kanë mbështetur ofrimin e mbrojtjes së veçantë sociale nga shteti për nënat me fëmijë të mitur.

Kjo sipas ministres, për të mbështetur dhe fuqizuar akoma më tepër rolin e gruas familjare, me prioritet kujdesin ndaj mirërritjes dhe mirë-edukimit të fëmijëve në familje.

“Vullneti i qytetarëve është detyrë për ne”, tha Muzhaqi nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, “të cilin do ta kthejmë në politika dhe ligje konkrete”. Me qëllim që nënat shqiptare me tre ose më shumë fëmijë të mitur të kenë më shumë mundësi financiare dhe sociale, sipas saj, për të qenë të pavarura dhe për t’iu përkushtuar më tepër edukimit të fëmijëve tyre.

Sh.Sh/Shqiptarja.com