Operacioni 'Storm', 5 të arrestuar, 2 nën hetim në gjendje të lirë dhe një tjetër në kërkim. 8 personat e proceduar kanë tentuar të vrasin efektivët e policisë në Qafë Kashar.
"Finalizohet operacioni policor i koduar “STORM”.
Zbardhen dy vrasje të mbetura në tentativë, dy vjedhje të automjeteve dhe vjedhje të sendeve personale dhe portofolit të një shtetasi që kthehej nga Gjermania.
Vihen në pranga 5 shtetas, shpallet në kërkim 1 shtetas dhe 2 të tjerë procedohen në gjendje të lirë.
Sekuestrohen veshje të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve, dy automjete të vjedhura, targa automjetesh të vjedhura, një armë gjahu, municion luftarak, 13 aparate celulare dhe sende të tjera të vjedhura.
Në kuadër të punës hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, si rezultat i një pune policore dhe procedurale të pandërprerë disajavore, duke përdorur dhe metodat speciale të hetimit, nga Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Sektori i Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, në bashëpunim me Seksionin e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin (DVP Lezhë), mbështetur nga Forcat Speciale FNSH dhe RENEA, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Kurbin, është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “STORM”.
















