Nën respektimin e masave anti-COVID, nis sot viti i ri shkollor! Mësuesit detyrim vaksinën, në të kundërtën tampon çdo javë! Prindërit jo dakord për mësimin me turne

27 Shtator 2021, 08:39 | Përditesimi: 27 Shtator 2021, 15:41

Të intervistuar nga gazetarja e Report Tv, Dorisa Sallaku, disa prindër shprehen jo dakord me zhvillimin e mësimit me turne.

"Nuk jam dakord fare për mësimin me turne sepse fëmijët i marrin gjyshërit që janë të moshuar. Dje na thanë që mësimi do të jetë me dy turne", shprehet një grua.

 

"Mësimi është me turne, por fatmirësisht shkolla ka bërë një gjë të mirë se ka koordinuar oraret për të dy fëmijët e mi, kjo është gjë e mirë", thotë një tjetër, teksa shoqëron në shkollë dy djemtë e saj.

Në ndryshim nga vitet e kaluara, mësuesit do të rikthehen në klasa të vaksinuar, ndërsa për ata që nuk e bëjnë, do të duhet të paraqesin test COVID çdo javë për të treguar se nuk janë të infektuar nga virusi.

Nëpërmjet një video-mesazhi, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi një ditë më parë iu drejtua me një urim të gjithë nxënësve, duke theksuar se në të gjitha shkollat janë marrë masat që ky vit shkollor të jetë sa më i mbarë. Kushi u bëri thirrje nxënësve që t’i kushtojnë kujdes maksimal masave anti-COVID.

r.k./Shqiptarja.com