Nis vaksinimi anti-COVID i rreth 14 mijë punonjësve të transportit publik

26 Maj 2021, 14:16

#reportTV #lajmeshqip #lajme TIRANË- Ditën e sotme do të nisë procesi i vaksinimit për punonjësit e transportit publik  me vaksinën AstraZeneca dhe Sputnik-V. Report Tv mëson se në total do të jenë 14 mijë  punonjës që do të marrin dozën e vaksinës në çadrën e ngritur prej disa javësh në sheshin 'Skëndërbej'. Ndërkohë në ditët në vijim, ky proces do të vijojë edhe me vaksinimin e punonjësve të transportit ndërqytetas. Ky sektor ka qenë ndër të parët që kanë kërkuar të vaksinohen për shkak të rrezikut që i kanosej si rrjedhojë e numrit të madh të qytetarëve që udhëtojnë me autobusë, ku është e pamundur që të ruhet distanca fizike. Në total, që nga fillimi i këtij procesi, janë vaksinuar 736.365 persona. Në Shqipëri deri më tani kanë mbërritur më shumë se 847 mijë doza të vaksinës kundër COVID, ku vaksinimi masiv vijon me program kalendarik për kategoritë e ndryshme, ndërsa qeveria ka vendosur si objektiv kryerjen e 1 milion vaksinimeve brenda qershorit.Vaksinimet kanë ndikuar edhe në uljen  e kurbës së infektimeve në vendit tonë, ku si rezultat i 3,366 testimeve, dje u konfirmuan pozitivë 14 qytetarë. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë vendosi edhe mbylljen e pavijoneve COVID në spitalet Rajonale.