'Një gjuhë, një abetare'/ Nikolla: Dita e Alfabetit të jetë Festë Kombëtare! Ministrja Arsimit: Nga viti i ardhëm Kosova dhe Shqipëria një abetare të njëjtë

28 Nëntor 2021, 19:12

'Një Gjuhë, Një Abetare', ishte ky eventi ku morën pjesë kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe ministrja e Arsimit Evis Kushi, ku nisën zyrtarisht punimet sot në ditën e Pavarësisë, për një 'Abetare Unike'. Ministrja Kushi tha se duke nisur nga viti shkollor 2022-2023 teksti i abetares do të jetë një për të gjithë nxënësit shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri. Ministrja e Arsimit, tha më tej se në 110 vjetorin e pavarësisë fëmijët shqiptar do të kenë një gjuhë të unifikuar.

'Mendojmë që në kushtet e reja në të cilën ndodhemi, patjetër që një abetare e re do të jetë një vlerë e shtuar dhe do të japë një kontribut më të rëndësishëm të brezave të ri. Kemi një kontekst social të ri dhe historik. Kemi metodologji të reja bashkëkohore dhe teknologji të avancuara. Që të gjitha këto duhet të reflektohen te përmbajtja dhe forma e abetares së re. Kam bindjen që vendimi që morëm te Këshilli i Ministrave për të pasur një abetare unike, është vendimi i drejtë dhe i duhur, për të pasur të gjithë një start të barabartë dhe padyshim një qasje të barabartë.