Eskluzive/ Prishja dhe ndërtimi i kompleksit të ri, ish-drejtori i klubit të Partizanit: Sali Berisha dhe dhëndri i tij fshinë historinë

26 Nëntor 2021, 16:04 | Përditesimi i fundit: 2021-11-26 16:07:11

Numërimi mbrapsht për të pasur një kompleks të ri për Partizanin ka filluar. Kjo pas gati 10 vitesh që nga momenti kur u prish kompleksi i vjetër te ish 21-dhjetori. Presidenca e Gaz Demit po shkon drejt finalizimit të një projekti që kap vlerën e 8 milionë eurove, ndërsa stadiumi ku të kuqtë do zhvillojnë ndeshjen do ketë një kapacitet prej 4500 vendesh.

Aktualisht ka përfunduar ndërtimi i ambienteve të jashtme të hotelit dhe stadiumit, ndërsa pritet të nisë edhe arredimi. Gjithçka do jetë brenda standarteve të kërkuara edhe nga UEFA, ndërsa në fillim të dhjetorit do nisë shtrimi i fushës, vendosja e stolave, implentimi i impiantit të ndriçimit dhe kompletimi me të gjithë mjetet e punës që i nevojiten një kompleksi. Pjesë e këtij investimi është edhe FSHF me afërsisht 1.5 milionë dollarë. Institucioni i futbollit shqiptar ka marrë përsipër pjesën e fundit të punimeve siç janë vendosja e stolave, shtrimi i tapetit, ndriçimi dhe arredimi i ambienteve të brendshme.