‘Paketa fiskale godet më të dobëtin’, Braçe bën propozimet: Hiqni favorizimet tek hotelet me 5 yje, tek birra, ndërtimet në bregdet dhe taksoni pijet alkoolike

25 Nëntor 2021, 12:31

Ashtu siç e kishte paralajmëruar deputeti i PS-së Erion Braçe ka prezantuar një sërë amendamentesh në Kuvend, që sipas tij duhet të përfshihen në paketën e re fiskale. Duke thënë se me këtë paketë të prezantuar nga qeveria është goditur më i dobëti, Braçe ka kërkuar të hiqet favorizimi TSVH-së për hotelet me 5 yje, pasi sipas tij mjafton favori që ju kemi bërë me lejimin e kazinove. 

"Unë kam paraqitur mbi 10 amendamente, do t'i prezanton një për një. Ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar, kam kërkuar fillimin  shkurtimit të listës së përjashtimit të listës fiskale, do të doja që në ligjin për TVSH të propozoja heqjen e këtyre dy përjashtimeve: Heqjen e shkallës së reduktuar prej 6% tatimit mbi vlerën e shtuar  për të gjitha furnizimet në hotelet me 5 yje. Çdo furnizim brenda këtyre hoteleve, paguajnë vetëm 6% TVSH në dallim nga çdo konsumator tjetër, përfshirë edhe atë familjar duke nisur që nga çmimi i bukës. Kjo masë u mor vitet e shkuara për të bërë thithjen e investimeve, por unë mendoj që mjafton një favor, ajo që ne i kemi dhënë të drejtën për të organizuar lojëra fati dhe kazino në ambiente e tyre”, tha Braçe. 

Propozimi tjetër është për të hequr favorin e bërë në sektorin e ndërtimit për zonat rezidenciale dhe në bregdet. Braçe tha se duke vendosur TVSH për furnizimin me tokë dhe për shitjen e parë të ndërtesës ndalohet edhe zaptimi.