Pas pensionit financiar, Rama vizitë për herë të tretë në familjen e Klodjan Rashës

15 Dhjetor 2020, 10:48 | Përditesimi i fundit: 2020-12-15 10:51:44

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka shkuar sërish këtë të martë në shtëpinë e familjes Rasha. Kjo është hera e tretë që kreu i qeverisë ka vizituar familjen Rasha, pas vrasjes tragjike të të riut, Klodjan Rasha.

Kjo vizitë vjen kur kanë kaluar 7 ditë nga vrasja e 25-vjeçarit nga polici. Ndërkohë, një ditë më parë, qeveria mori vendimin duke i siguruar 61 mijë lekë pension mujor.

Ngjarja tragjike ndodhi herët në mëngjesin e datës 8 dhjetor në rrugën "Dritan Hoxha" në Tiranë, ku 25 vjeçari Klodjan Rasha është qëlluar për vdekje me armë nga polici Nevaldo Hajdaraj.

Kjo ngjarje e rëndë pasoi me reagime të shumta por edhe protesta, të cilat degjeneruar në dhunë dhe shkatërrime në Tiranë dhe qytetet të tjera të vendit. 

Vrasja e 25-vjeçarit nga efektivi solli dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, por protestuesit kanë kërkuar largimin e Drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veliu me argumentin se po fsheh provat dhe po manipulon ngjarjen. Megjithatë, një kërkesë e tillë është mohuar kategorikisht nga kryeministri Rama, i cili tha se dorëheqja e Lleshajt nuk duhet të merret si dobësi e shtetit.