Pas përjashtimit, Berisha nis aksionin kundër Bashës, mbledh nesër demokratët e Tiranës! FRPD kërkon referendum: Kryetari shkeli statutin

15 Shtator 2021, 12:18 | Përditesimi i fundit: 2021-09-15 14:53:12

TIRANË- Ashtu siç kishte paralajmëruar ish-lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha ka nisur të gjitha lëvizjet e tij për të bërë referendum në PD për të rrëzuar vendimin e përjashtimit të tij nga Lulzim Basha. Berisha ka nisur aksionin kundër 'birit të tij politik' Bashës, për t'i rikthyer sipas tij sovranitetin partisë.

Berisha nuk ka humbur kohë dhe që nga nesër do të zbresë në terren dhe do të nisë takimet me anëtarët e PD-së në Tiranë, ku do të mbledhë firmat për të kërkuar referendum në lidhje me vendimin individual të Lulzim Bashës dhe më pas do të shkojë në Shkodër.

Gjithashtu 'sulmi' ndaj Bashës ka nisur sot edhe nga 30 anëtarët e Kryesisë së Forumit Rinor të Partisë Demokratike, të cilët i kanë depozituar një kërkesë Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe kreut të Këshillit Kombëtar për thirrjen e një referendumi pas përjashtimit të Sali Berishes nga grupi parlamentar. Me anë të një peticioni, ato e konsiderojnë si të paprecedentë situatën e krijuar nga vendimi personal i kryetarit të PD-së për përjashtimin e Berishës. Sipas tyre anëtarsia duhet të vendosë pasi është shkelur statuti dhe vlerat e PD-së.

'Duke e konsideruar këtë veprim në shkelje të plotë të statutit, parimeve, vlerave të Partisë Demokratike si dhe rrezikun që mbart për përçarjen e thellë të parikuperueshme të saj kërkojmë që ky veprim t'i nënshtrohet me domosdoshmëri një referendumi në anëtarësinë e partisë si të vetmen rrugë për të ruajtur unitetin e PD' - thuhet në peticion.

Përjashtim i Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, pasi u shpall 'non grata' nga SHBA, solli një numër të lartë reagimesh në radhët e partisë së djathtë në vend të cilët nuk u pajtuan me vendimin e Lulzim Bashës. Madje disa deputetë dolën hapur kundër vendimit të Bashës dhe mbështetën Sali Berishën, me argumentin se po mohohej historia e suksesit të kësaj partie.

Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në kufijtë e limitit kohor, një ditë përpara se të mbahej legjislatura X e Kuvendit. Basha dekalaroi se këtë vendim e mori në mënyrë personale, pasi sipas tij nuk donte të nxiste përçarje në parti.