Përplasja për Cirkun e Tiranës, kreu i Sindikatës së Artistëve: Cirkun çojeni ku të doni, mjafton të punojë dhe artistët të mos mbesin rrugëve

20 Tetor 2021, 13:35

Kryetari I Sindikatës së Artistëve, Reshat Ibrahimi, i cili është vendosur në krah të artistëve të cirkut ka vetëm një kërkesë nga Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës se Cirku të vendoset ku të dojë mjafton të funksionojë dhe artistët të mos mbesin rrugëve.

"Në 2017 u përballëm me përmbarimin dhe pas 4 vitesh vijon të ndodh e njëjta gjë. Ne kemi bërë disa kërkesa. Ne u them vetëm një gjë çojeni çadrën e cirkut ku të doni, mjafton që Cirku të vijojë punën dhe artistët të mos përfundojnë rrugëve. Problemi i çadrës është bërë një gangrenë prej 10 vitesh", tha Ibrahimi.

Ditën e sotme përmbaruesit kanë shkuar për të zbatuar urdhrin e boshatisjes së Cirkut dhe mbylljen e çadrës së Cirkut, në një kohë kur artistët po mbanin një shfaqje në shenjë proteste kundër çmontimit të tij. Përplasjet kanë nisur që kur Gjykata Administrative me vendim të formës së prerë i ka kaluar truallin ku ndodhet cirku pronarit.