Pickimet nga merimangat, mjeku: Më të rrezikshme se gjarpërinjtë! 15 raste gjithsej në spitalin e Fierit

9 Korrik 2021, 14:35

FIER- Pickimet nga merimangat dhe gjarpërinjtë po kthehen në një fenomen shqetësues në këto temperatura të larta. Mjeku intoksikolog, Lulëzim Banushaj foli për ‘Report Tv’ duke shpjeguar se në spitalin e Fierit janë paraqitur 10 raste nga pickimi i merimangës dhe 5 raste nga kafshimi i gjarprit dhe nëpërkës. Mjeku u shpreh se pacientët janë paraqitur në spital në gjendje shoku, pa puls, pa tension e me dhimbje të forta trupi.

Fatmirësisht, deri më tani mjeku tha se nuk ka pasur asnjë humbje jete, por vetëm raste shumë të rënda, të cilat kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore nga bluzat e bardha të spitalit të Fierit. Ndërsa theksoi se spitali i Fierit e ka në dispozicion të gjithë kurën e nevojshme që përdoret në këto raste.