Platforma e opozitës, i ftuar sekretari ligjor i PD-së Ivi Kaso

7 Maj 2019, 10:31

Largimi i Ramës nga posti i kryeministrit dhe qeveri tranzitore. Këto dy kushte të opozitës së bashkuar, për të hyrë në zgjedhje, janë ripërsëritur nga sekretari ligjor i PD, Ivi Kaso. I ftuar mbrëmjen e së hënës në emisionin '5 pyetje nga Babaramo' në Report Tv, Kaso tha se synohet një qeveri transitore me  personalitete të pavarur, për një kohë ende të pacaktuar.

"Ne kërkojmë një qeveri me personalitete të pavarur. Ky vend ka mjaftueshëm njerëz me integritet dhe me përvojë politike dhe administrative, por edhe vullnet që të garantojnë disa standarde. Ne kemi kusht që të largohet Rama dhe që qeveria të bëjë disa detyra të thjeshta. Këto dy gjëra janë të panegociueshme. Kohëzgjatjen nuk e shikojmë të pa kufizuar apo instrument që paqton shqiptarët dhe  merr përsipër zgjidhjen e të gjitha halleve dhe problemeve të shqiptarëve. Është një proces disa mujor, por duhet të kufizohet në kohë për aq sa është e domosdoshme për realizimin e 10 detyrave që kemi vendosur në piketa", tha Kaso në Report Tv.