TIRANË-Operacionet e fundit të SPAK me arrestime të bujshme të krerëve të organizatave kriminale por edhe si ky i sotmi ku u vunë në pranga 9 zyrtarë të Bashkisë Lushnjë, përfshi kryetarin Fatos Tushe, për juristin e njohur Ledio Braho është një tregues se institucionet e reja të drejtësisë po funksionojnë. Megjithatë sipas tij duhet bërë më shumë në drejtim të dosjeve të bujshme.
"Janë operacione të suksesshme të paktën deri në fazën që ndodhen deri tani. Është punë e konsiderueshme e SPAK. E vërteta është që nga SPAK priten doje të tjera që janë dosje të vërteta ku flitet për 'peshqit' e mëdhenj të vërtetë siç është dosja e aferës së unazës. Impakti i madh realisht do të jetë kur të merren masa për dosje të tilla. Tanimë është periudha që SPAK të tregojë veten. Mbase do të shohim edhe produktet e para të reformës në drejtësi. Jam optimist që do të ketë zhvillime të reja. Patjetër që është një ogur i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Çështja e unazës, çështja e Teatrit për të cilin tashmë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e shumë çështje të tjera. Ka kallëzime të bëra nga opozita në lidhje me shitblerjen e votës. Janë këto çështje që janë shumë të rëndësishme dhe që duhet të merren sa më parë nga SPAK", tha ai.