Protesta e opozitës, e ftuar ish-deputetja e LSI Kejdi Mehmetaj

14 Maj 2019, 15:10

Ish-deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj në studion e Report TV me gazetarin Ilir Babaramo komentoi ndryshimin e qëndrimit të protestuesve të cilët sot ishin shumë më të qetë në krahasim me protestën e kaluar.

"Nuk duhet të harrojmë se ne e kemi denoncuar dhunën, nga provokatorë që nxisin qytetarët për dhunë dhe nga ana tjetër policia provokon. Nëse ajo turmë ka vendosur të thyejë xhamat nuk ka as gaz as polici që i ndalon. Sot ata nuk ka krijuar asnjë incident. Përdorimi i gazit është jashtëzakonisht provokues për protestuesit. Gazi lotsjellës na ka ardhur te këmbët kur kemi qenë duke protestuar paqësisht. Ata që i shërbejnë Ramës si të verbër duhet të dalin njëherë dhe të shohin se si jetojnë qytetarët. Këto janë incidente që ndodhin jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Është fare e thjeshtë kërkesa e qytetarëve. Rama të ikë. Nuk mund të ketë negociata. Ajo e djeshmja ishte një shtysë akoma dhe më e madhe që qytetarët të dilnin sot në bulevard. Rama dje prezantoi fytyrën e vërtetë të arrogancës", thotë Mehmetaj.