Protesta/ Kim: Bisedova liderët politik e Veliun! Ish-pushtetarët të mos bëjnë gabimet e së kaluarës

11 Dhjetor 2020, 22:36 | Përditesimi: 11 Dhjetor 2020, 22:36

TIRANË- E ashpër ka qenë ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim në reagimin e saj, ku i ka tërhequr veshin opozitës që për herë të parë i quan " ata që kanë qenë në pushtet", duke i thënë që të mos bëjë gabimet e së kaluarës, duke nxitur dhunë në protestat që po organizohen për vrasjen e Klodjan Rashës nga polici.

Në një kohë që presidenti Ilir Meta dënoi dhunën e policëve, por nuk tha asgjë për aktet jo të hijshme të protestueve, apo nga ana tjetër kryetari Lulzim Basha që deklaroi se "është krenar për rininë që nuk po rri duarkryq", Kim thekson se është e gabuar që të sugjerohet se dhuna në protesta është e pranueshme.

Në deklaratën e ambasadores Kim duket se ka dhe një referim të drejtpërdrejtë edhe ndaj gjuhës së dhunës që ish-kryeministri Sali Berisha përdori gjatë një interviste televizive një nate më parë, ku u shpreh se Garda kishte vepruar mirë në vrasjen e 4 protestuesve të 21 janarit dhe se Edi Rama do të qëllohej me 5 snajperë nëse do të shkonte të nesërmen sërish në proteste para selisë së qeverise "Berisha". Kim është e ashpër dhe e qartë për çfarë tha Berisha: "Ata që kanë qenë në pushtet më parë nuk duhet të bëjnë gabimet e së kaluarës, duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme", tha Kim.

Ajo ka zbuluar se ka pasur një komunikim me kryeministrin Edi Rama, kryedemokratin Lulzim Basha, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe Drejtorin e Policisë, Ardi Veliu. Përveç mesazhit të fortë drejtuar opozitës, ose ish-pushtetarëve, ambasadorja ka vlerësuar reagimin e autoriteteve për kapjen dhe vënien përpara drejtësisë të efektivit që kreu aktin, teksa theksoi se qeveria ka "përgjegjësinë të sigurojnë një hetim të plotë dhe transparent të incidentit, të ushtrojnë përmbajtje në mbrojtjen e sigurisë dhe pronës publike"

b.ha./Shqiptarja.com