TIRANË- Në emisionin e sotëm të “5 pyetje nga Babaramo”, i ftuar në studio ka qënë student i Universitetit të Arteve për Komunikim dhe Dizajn, Olgert Rakipllari.
I pyetur nga gazetari Ilir Babaramo, studenti ka folur lidhur me arsyen e nisjes së protestës, shkarkimin e ministres së Arsimit Lindita Nikolla nga kryeministri Edi Rama dhe vijimsinë e protestës.
Gjatë fjalës së tij në studio, Olgert Rakipllari u shpreh se studentët nuk kërkuan as shkarkimin e Nikollës dhe as rrëzimin e kryeministrit Rama por vetëm plotësimin e kërkesave të tyre për një arsim më të mirë.
Ne donim plotësimin e pikave tona. Nuk e kërkuam as dorëheqjen e ministres Lindita Nikolla, as rrëzimin e kryeministrit Rama.
Olgert Rakipllari, student
Ndër të tjera ai ka shtuar se protesta e studentëve do të vijojë deri në plotësimin e të gjithë kërkesave të tyre duke u bërë thirrje për t’ju bashkuar protestës edhe studentëve të rretheve.
Ditën e sotme studentët kanë rinisur protestën e tyre pas tri javë nga ndërprerja për festën e Krishtlindjes dhe Vitit të ri, edhe pse qeveria në datë 30 dhjetor miratoi "Paktin për Universitetin" duke plotësuar një pjesë të mirë të kërkesave të studenteve.