Kryetari i grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv u shpreh i bindur se Presidenti i Republikës Ilir Meta do të dekretojë ministrat e rinj që janë propozuar nga kryeministri Edi Rama. Balla u shpreh se roli i kreut të shtetit është ceremonial duke mos parashikuar surpriza të pakëndshme, teksa Meta ka dekretuar vetëm 4 nga 9 ministrat dhe nuk ka shkarkuar ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati (lexo këtu).
"Nuk dua të diskutoj këtë çështje, pasi besoj që Presidenti për të cilin unë kam votuar me të dyja duart, nuk do ta shkelë kushtetutën dhe nuk dua të prezumoj, që mik im, ish kolegu, Ilir Meta do të shkelë Kushtetutën. Unë mendoj dhe jam i bindur, nuk e shkel kurë Kushtetutën. Nuk ka nevojë për sinjale për një gjë kaq të qartë. Kam bindjen se Meta do të respektojë Kushtetutën, këtu mbaron. Është ceremonial i përcaktuar qartë”tha Balla.
Më pas Balla komentoi edhe protestën e studentëve dhe lëvizjet në qeveri duke shtuar se Partia Socialiste do të fitojë një tjetër mandat në vitin 2021. “Në 2021 PS do të rikonfirmohet për një mandat të tretë. Nga sot deri në 2021 kemi filluar, në 2015 kemi miratuar ligjin për arsimin e lartë, në dy vitet e para ka pasur vonesë na zbatim, ne e pranojmë, por është ndër ligjet më të mira”. Gjatë intervistës, Taulant Balla përsëriti akuzat e tij në drejtim të Berishës për eksplozivin e vendosur në shtyllën e tensionit të lartë (lexo këtu). “Sali Berisha u shfaq sot edhe me formën tjetër të protestës. Ka një formë tjetër Saliu proteste, vendos dinamit te shtylla e tensionit të lartë”.