Protestat në SHBA/ Diplomati Xhufi në Repolitix: Trump shpalli armik Europën! Andoni: Biden do duhet të riparojë dëmet e republikanit

6 Janar 2021, 23:10 | Përditesimi i fundit: 2021-01-06 23:14:25

Protestat që kanë përfshirë kompleksin e Kapitol në SHBA ishte tema e diskutimit në emisionin Repolitix mbrëmjen e sotme në Report Tv. Të ftuarit janë shprehur se ky akt tregon përpjekjet e fundit të Presidentit në detyrë Donald Trump për të ndryshuar sadopak zgjedhjet Presidenciale.

Diplomati Pëllumb Xhufi u shpreh se jetëgjatësia e këtyre protestave është e shkurtër dhe se me kalimin e kohës ato do të zbehen. Sipas tij të gjithë qytetarët që kanë shkaktuar dëme do të vendosen përpara përgjegjësisë.

“Unë shoh që ka rënë numri i protestuesve. Me afrimin e orës 12 të natës me siguri do të largohen. Më pas ata do të përgjigjen, për dëmet që kanë shkaktuar. Nuk mendoj se do të ketë më protesta, do qetësohen gjakrat. Unë nuk e shoh në mënyrë tragjike, edhe më 20 janar kur do të bëhet prezantimi i Presidentit Biden nuk do ketë asnjë trazirë” – tha Xhufi.

Për analistin Ben Andoni, dëmi dhe impakti negativ i republikanëve ka për të qenë shumë i madh. Ai tha se në mandatin e tij, Biden do të duhet të riparojë ato që Trump i ka çuar keq.

“Amerika me sistemin e vetë, besoj që ka për ta neutralizuar. Dëmi, impakti negativ i republikanëve ka për të qenë shumë i madh. Është humbje e staturës morale. Inercia e Biden në mandatin e vetë, nuk besoj se e përballon më shumë se një mandat. Duhet të riparojë ato që Trump i ka çuar keq. Detyra nuk është më fare e vështirë” – tha Andoni.

Në të njëjtin mendim ishte dhe deputeti i PS-së, Ervin Bushati i cili tha s impakti negativ i Trump në Partinë Republikane do të jetë i madh.

“Trump iu dhuroi demokratëve dhe Senatin. Në dy zgjedhjet që fituan demokratët, ishte për shkak të deklaratave të Trump. Mori sekretarin e shtetit të Georgias dhe e kërcënoi. Republikanët kanë marrë një X të madh. Të gjithë ligjvënësit amerikanë që kanë ndjekur verbërisht Trump, që nuk janë ndarë nga Trump, Partia Republikane do ta vuajë. Trump mund të ketë emëruar shumë gjyqtarë, por treguan se askush nuk e mbështet. Republikanët, dhe konceptet republikane janë një hap prapa derisa të dalë ky gjaku i keq” – tha Bushati.