Policia e Shtetit ka reaguar përmes një njoftimi për shtyp në lidhje me protestat e dhunshme të 5 ditëve të fundit në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodjan Rasha nga efektivi i policisë më 8 dhjetor.
Përmes një njoftimi policia shkruan se është e vetëdijshme për ndjeshmërinë popullore që shkaktoi vrasja e të riut nga dora e një efektivi, por tashmë që protestat kanë degraduar nuk do të lejojë asnjë tubim që shkel masat kundër koronavirusit.
Ndërsa bëjnë me dije se duhen respektuar masat e caktuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, ku mes të tjerash ndalohet grumbullimi i më shumë se 10 njerëzve, uniformat blu theksojnë se në të kundërt vendi do të shkojë drejt një mbylljeje më të madh. Në apel policia paralajmëron marrjen e masave administrative dhe atyre penale në rast të shkeljeve dhe mos-zbatimit të masave të veçanta në periudhën e pandemisë.
Pas vrasjes së Klodjanit, vendi u përfshi në protesta të cilat agravuan në dhunë. Në Tiranë dje u zhvillua dita e 5 e protestës, e cila ishte më e zbehtë, krahasuar me ditët e tjerë, megjithatë as këtu nuk munguan situatat e tensionit, ku janë hedhur gurë e sende të forta në drejtim të policisë, por nuk kanë shpëtuar as semaforët, sinjalistika rrugore e stacionet e autobusëve.
Gjatë ditës së 5 të protestës në Tiranë policia ka arrestuar 4 persona, duke e çuar në 93 numrin në total të arrestimeve që prej ditës së parë. Një punonjës policie u plagos për shkak të dhunës, duke e çuar numrin e të plagosurve në 26. Policia po ashtu ka proceduar në këtë protestë të pestë 46 persona, ndërsa në total numri i tyre ka shkuar në 314. Protestat kanë vijuar prej 5 ditësh për Klodjanin, ndonëse familja e tij ka bërë thirrje përmes një letre publike që të ndalet dhuna, duke theksuar se ajo nuk ndihmon në vënien e drejtësisë por vetëm ua shton dhimbjen për humbjen e djalit.