Pas më shumë se dy orësh është mbyllur dita e 4 e protestës në Tiranë për vrasjen e 25 vjeçarit Klodjan Rasha nga efektivi i policisë. Ndryshe nga tre ditët e kaluara, protesta e së shtunës ishte më e qetë, megjithëse nuk munguan sulmet ndaj institucioneve, plasja e kapsollave dhe rrëzimi i sinjalistikave rrugore.

Grupi i protestuesve ashtu si dhe në protestat e kaluara ka qenë i përbërë kryesisht nga të rinj dhe të mitur. Ata kanë marshuar fillimisht në drejtim të kryeministrisë dhe pasi kanë hedhur kapsolle aty janë drejtuar për nga Drejtoria e Policisë Tiranë, por janë kthyer pas nga efektivët me gaz lotsjellës. Pasi policia ka hedhur gaz lotsjellës protestuesit janë shpërndarë në disa zona në Tiranë. Ndërkohë që Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë shoqëruar disa prej tyre, pas përplasjeve, ndërsa një specialist për hetimin i komisariatit numër 1 u plagos në sy nga një kapsollë.

Thirrjet që i kanë shoqëruar gjatë gjithë protestës kanë qenë “Rama ik”, Drejtësi për Klodjanin, dhe të "largohet Ardi Veliu". Sakaq u kanë kërkuar edhe policëve që po vëzhgonin situatën që të heqin kapelet. Mes protestuesve ishte edhe ish deputetja e LSI Floida Kërpaçi, si dhe përfaqësues të Aleancës për Tetrin. Rreth orës 20:30 protesta u shua, të rinjtë u shpërndanë në disa zona nuk po dilnin më në skenë, e kështu nisi normalisht qarkullimi i mjeteve në ato zona ku ishin përqëndruar protestuesit.

Këtë të shtunë protesta ka nisur pas orës 18:00, pasi u  grumbulluan pak e nga pak protestuesit të cilët në fillim ishin të paktë në numër. Situata ka qenë më e qetë se 3 ditët e tjera, pasi edhe forcat e policisë kanë qenë të parapërgatitura për atë se çfarë do të ndodhte. Megjithatë nuk kanë munguar as incidentet. E sulmuar sot ka qenë edhe ministria e Ekonomisë, të cilës i kanë thyer xhamat, ndërsa një qytetar u ndje keq pasi policia hodhi gaz lotsjellës.

Por situata u paraqit ndryshe në Durrës ku protestuesit ishin më shumë se paqësore. Ata u treguan miqësorë duke përqafuar policët. Në Elbasan protestuesit i vunë zjarrin koshave të plehrave dhe thyen dekorimet festive, megjithatë situata nuk ka qenë shqtësuese.

Kujtojmë se në 3 ditët e para të protestës ka pasur tensione dhe dhunë nga ana e protestuesve të cilët kanë sulmuar institucionet, dhe kanë shkatërruar semaforë, tabela, dhe gjithçka çfarë kanë gjetur në kryeqytet.  Protesta janë zhvilluar dhe në disa qarqe të vendit, në disa prej tyre të qeta e në disa me tensione dhe shkatërrime. Një prej tyre ka qenë edhe ajo e Shkodrës ditën e sotme. Edhe përgjatë 3 ditëve të para të protestës protestuesit, kanë hedhur gurë, flakadanë dhe disa zbukurime të vendosura në qendër për festat e fundvitit ndaj efektivëve të policisë. Për shumë orë, ata nuk kanë kursyer as koshat e mbeturinave, stolat, tabela të qarkullimit rrugor dhe shumë sende të tjera duke i dëmtuar. Edhe stacionet e autobusëve e semaforët u dëmtuan rëndë, duke shkaktuar shumë rrëmujë në qytet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:42
E rëndë/ Protesta në Tiranë, dëmtohet në sy një tjetër punonjës policie

Policia e Shtetit njofton se gjatë protestës së të shtunës, rreth orët 19:30 është dëmtuar rëndë në sy një tjetër efektiv i policisë. Efektivi dyshohet të jetë lënduar si pasojë e gurëve dhe kapsollave të hedhura nga turma e protestuesve.

" Rreth orës 19:30, tek Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, si pasojë e gurëve dhe kapsollave të hedhura në drejtim të punonjsve të policisë nga turma e protestuesve është dëmtuar në pjesën e syrit nga një kapsollë një Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr.1, i cili u transportua menjeherë për ndihmë mjeksore për në spitalin “Nënë Tereza”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ora 19:49
Qetësohet situata në Tiranë! Protestuesit të shpërndarë, qarkullimi ka nisur normalisht te ministria e Brendshme (VIDEO)

Pasi policia ka hedhur gaz lotsjellës protestuesit janë shpërndarë dhe situata në këto momente duket e qetë në Tiranë.

Te ministria e Brendshme, qarkullimi vijon normalisht. Forcat Shqiponja vijojnë kontrollet në grup për të pasur situatën në kontroll.

Situata duket e qetë edhe te Stadiumi Dinamo.

Ora 19:28
Protestuesit pranë drejtorisë së policisë Tiranë, rrëzojnë sinjalistika rrugore! Policia hedh gaz (VIDEO)

Protestuesit ndodhen pranë drejtorisë së policisë Tiranë dhe kanë rrëzuar një prej sinjalistikave.

Policia ka vepruar menjëherë duke hedhur gaz lotsjellës.

Sinjalistika është rrëzuar në disa rrugë të qytetit.

Ora 19:25
FNSH në rrugicat e 'Myslym Shyrit', vijon shoqërimin e protestuesve

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë duke 'krehur' rrugicat e lagjës 'Myslym Shyri' duke marrë për të shoqëruar protestuesit e dhunshëm.

Ndërkohë që situata është qetësuar ndjeshëm pasi protestuesit janë të shpërndarë nëpër rrugica.

 

Ora 19:00
Tensionet, policia shoqëron disa protestues, po shkatërronin serish pronën publike (FOTO)

Policia ka shoqëruar disa protestues në këto momente, pas tensioneve në protestë.

Protestuesit ishin duke shkuar drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës por policia i ndali me gaz lotsjellës, duke dëmtuar serish pasuritë publike.

Ora 18:55
Polica hedh gaz lotsjellës, një protestues ndihet keq

1607795923_1607795795Screenshot9.jpg

Polica ka hehdur gaz në protestë për të shpëndarë turmën e cila ishte nisur drejt drejtorisë së policisë Tiranë, dhe si pasojë një protestues po ndihet keq si pasojë e gazit që është përdorur.

Ora 18:52
Nisen drejt drejtorisë së policisë, efektivët i kthejnë mbrapsht protestuesit me gaz lotsjellës (VIDEO)

Tensionohet situata në protestë. Ndërsa protestuesit janë nisur drejt drejtorisë së policisë Tiranë ata janë kthyer mbrapsht pasi policia ka hedhur gaz lotsjellës.

Momentalisht ata janë në rrugën Myslim Shyri.

Ora 18:48
Zhvendosen nga Kryeministria protestuesit, marshojnë nëpër Tiranë! E pranishme edhe deputetja Kërpaçi

1607795299_Screenshot4.jpg

Pas qëndrimit për disa minuta para Kryeministrisë, protestuesit janë duke u zhvendosur në këto momente në drejtim të Ministrisë së Brendshme, duke dëmtuar dritaret e Ministrisë.

Por nuk janë ndalur aty dhe po vazhdojnë marshimin. Protesta para Kryeministrisë ka qenë e qetë dhe nuk ka pasur asnjë konfrontim me policinë.

Edhe këtë herë nuk kanë munguar të miturit.  E pranishme është  edhe ish-deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi. Po shkojnë drejt Ministrisë së Brendshme.

Ora 18:46
Tensionohet situata/ Protestuesit thyejnë grilat e ministrisë së Ekonomisë

1607795510_1607795464Screenshot7.jpg

Protestuesit kanë nisur aksionin dhe situata është tensionuar paksa. Ata kanë thyer grilat e ministrisë së Ekonomisë.

Ora 18:45
Protestuesit marshojnë drejt kryeministrisë, bëjnë thirrje 'poshtë qeveria'

1607795175_1607794670Screenshot1.jpg

Protestuesit janë zhvendosur drejt kryemoinistrisë. Ata mbajnë në duar postera ku shkruhet drejtësi për Klodjanin.

Por ndryshe nga dje deri në këto momente situata është e qetë. Më tej kanë vijuar marshimin me thirrjet poshtë qeveria.

Ora 18:37
Nis protesta për vrasjen e Klodjan Rashës, të rinjtë fillojnë të hedhin kapsolle

1607794669_1607794514tirane.jpg

Ka filluar protesta në Tiranë për vrasjen e Klodjan Rashës.

Protestuesit të cilët janë kryesisht të rinj kanë filluar të hedhin kapsolle pranë trotuareve të Kuvendit.

Megjithatë situata duket e qetë. Edhe qarkullimi i makinave vijon normalisht.

Ora 18:26
Protesta për Rashën, mbërrijnë protestuesit e parë te bulevardi Dëshmorët e Kombit

1607794007_1607793938Screenshot1.jpg

Mbërrijnë protestuesit e parë te bulevardi Dëshmorët e Kombit, për vrasjen e 25 vjeçarit Klodjan Rasha.

Aktualisht janë një grumbull i vogël protestuesish dhe ata duken se janë kryesisht të rinj.

Momentalisht situata duket e qetë.

Ora 18:13
Shkon ora 18:00, situata e qetë në Tiranë! Pa protestues pranë ministrisë së Brendshme dhe para kryeministrisë (VIDEO)

Në ambientet përreth ministrisë së Brendshme ka forca të shumta të policisë por asnjë protestues. Ndonëse ora ka shmuar 18:00 orë në të cilën pritej të fillonte protesta, protestuesit nuk janë grumbulluar ende në Tiranë.

Në këtë zonë në këto momente ende nuk ka prani të protestuesve. Nuk ka një skenar të gatshëm se si do të vijojë protesta e ditës së sotme, por pritet për tu parë në vijim. Sakaq nuk dihet nëse do të ketë një lider që do të udhëheqë protestën apo do të zhvillohet si ditët e para e ndarë në disa lagje të Tiranës.

Momentalisht situata është e qetë.