Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se duan që negociatat për zgjedhjen e presidentit të bëhen me anë të një kalendari që fillimisht përcakton profilin e Presidentit, për të cilin thotë se duhet të jetë pa dallime.
"Presidenti zgjidhet sipas Kushtetutës. Kushtetuta ka përcaktuar se Presidenti i Republikës zgjidhet në tre raundet e para, propozohet nga jo më pak se 20 deputetë dhe secili prej deputetëve të Republikës së Shqipërisë ka të drejtë të jetë propozues.
Grupi parlamentar i PS, jo vetëm në këtë rast por edhe në vijim do të vijojë të marrë propozime konkrete dhe për lidhje të caktuara drejtpërsëdrejti. Ka pasur një risi në këtë proces, është risi që do e aplikojmë dhe në raste të zgjedhjes, dua të sqaroj se të gjitha propozimet që kanë ardhur në email janë trajtuar me seriozitet dhe do të bëjmë short listë nga grupi që kemi përcaktuar për negociata me opozitën.
Nuk do i bëjmë publike sa kohë jemi në proces bisedimesh. Ne do të shkojmë në fazën e parë me kalendar dhe më pas me profil, pas kësaj do kemi short listën me propozimet nga deputetët dhe publiku. Dëshira jonë është që negociatat të zhvillohen në bazën e një kalendari. Cila është natyra që presidenti duhet të ketë? Jam i bindur se shumica dërrmuese bien dakord se duhet një President pa dallime", tha Balla.



















