PS starton zgjedhjet në Tiranë, Gjiknuri ironizon garën në PD: Nuk duam të bëjmë zgjedhje si ato që ai bërtiste nga 300 bëje 500

16 Maj 2022, 20:48

Partia Socialiste ka startuar zgjedhjet edhe në qarkun e Tiranës. Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri inkurajoi çdokënd që mendon se ka aftësitë dhe vullnetin të bëhet pjesë e kësaj gare.

“PS po hyn në një fazë shumë të rëndësishme, faza e ripërtëritjes së saj sa i përket nivelit të drejtimit dhe të organizimit, pikërisht në një moment të rëndësishëm të Shqipërisë. Unë e kam thënë edhe më parë, jemi mandati i tretë, jemi shumë të avantazhuar, kemi shumë suksese por patjetër, partia ka nevojë për ripërtëritje dhe për vëmendje të shtuar.

Betejat që na presin nuk janë të lehta, përpara do kemi zgjedhjet vendore, por mbi të gjitha partia duhet të jetë platforma e shëndoshë edhe për përmirësimin e qeverisjes, edhe për përmirësimin e jetës politike shqiptare, sepse PS ka treguar veten që është në themel të demokracisë së këtij vendi dhe ne do vazhdojmë të jemi të tillë.

Pikërisht ky proces i filluar, një risi për sa i përket të drejtës që ka çdo anëtar për të vetëkonkuruar nuk është më si më parë kur asambletë e mbyllura apo grupime të caktuara që natyrshëm formohen në çdo forcë politike diktonin një apo dy kandidatë të caktuar, duke u hequr mundësinë shumë talenteve, njerëz që kanë kurajo, që duan të drejtojnë, që kanë eksperiencë për t’u bërë pjesë e lidershipit të PS”, tha Gjiknuri.