Puset e naftës së ‘Albpetrol’ shkaktojnë ndotje në Kuçovë! Ish-tekniku: Tuba 100-vjeçarë, nafta derdhet në lumenj

11 Nëntor 2023, 13:51

Braçe Demo, banor i lagjes periferike të Kuçovës bashkëjeton me një pus nafte në oborrin e shtëpisë.

Nuk është i vetmi, rreth 300 puse rentabël ndodhen aktualisht në zona të banuara.

Pusi rrjedh në mënyrë të vazhdueshme e sidomos në ditë me shi. Mbetjet e naftës nga kanali kullues përfundojnë në lumin e Lapardhasë.

Si ish-teknik i naftës, Braçe Demo na tregon se tubacionet janë tejet të vjetra dhe nuk janë ndërruar që prej 1918-ës, kohë kur kompanitë italiane çelen keto puse në Kuçovë.

Tashmë këto puse i shfrytëzon kompania shtetërore e prodhimit të naftës “Albpetrol”, e cila ka shkaktuar ndotje të madhe të ujit dhe tokave bujqësore.

Një ditë më parë nisën hetimet në gjendje të lirë për për dy drejtues të Albpetrolit në Kuçovë. Kallëzimi është bërë nga banorët e zonës, të cilët prej vitesh jetojnë me erën e rëndë të naftës që mbetet në sipërfaqe. Ndërmarja e prodhimit të naftës nuk ka bërë asnjë ndërhyrje teknike tek puset megjithëse janë prodhues rentabël.