Kritiku i Bashës: Të vazhdosh me strategji se nuk njoh zgjedhjet është vetëvrasje!

4 Maj 2021, 21:41 | Përditesimi i fundit: 2021-05-04 22:16:57

‘A po i njeh Lulzim Basha zgjedhjet e 25 prillit’, kjo është tema e diskutimit mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv. Duke ju referuar deklaratës së kreut të PD-së gjatë mbledhjes së sotme me kandidatët për deputet se beteja do të vijojë në parlament, anëtari i këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Gent Malko, kritik i Lulzim Bashës, tha se nëse do të marrë mandatin dhe të hyjë në parlament do të thotë se e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve. Më tej Malko tha se strategji se teorisë se ‘nuk do të njoh’ zgjedhjet do të ishte vetëvrasje.

‘Si ‘de jure’ si ‘de facto’ PD i ka pranuar zgjedhjet. Jemi akoma në kuadrin e fjalëve, pasi nuk kemi parë asnjë veprim praktik. Nuk kam pas kurrë dyshim se do të njihej rezultati i zgjedhjeve. PD ka pasur një eksperiencë të gjatë dhe rezultati i vetëm që mori ishte një qëndrim i aleatëve që nuk e mbështetën asnjëherë në këtë kauza. Të vazhdosh me strategji se nuk njoh zgjedhjet do të ishte vetëvrasje. Deklarata që beteja, vazhdon përkthehet edhe me një gjë tjetër që Basha nuk e ndjen veten përgjegjës për humbjen dhe se dëshiron që të jetë kryetar i PD-së. Është pranim i drejtpërdrejtë. Do marri mandatin të hyjë në parlament, do të thotë se ke njohur rezultatin. Njohja e zgjedhjeve nuk është më çështje PD-së, është tagër i një institucioni të caktuar me ligj që është gjykata. PD po hyn në parlament, do të thotë se po njeh zgjedhjet.’- tha Malko.