Në episodin e radhës të Podcast Flasim, kryeministri Edi Rama, kishte të ftuar tre ekspertët e sigurisë kibernetike pjesë e AKSH-it dhe AKCESK, të cilët triumfuan në Global CyberDrill 2024, ku morën pjesë 113 shtete, që u testuan për performancën e tyre në bazë të shpejtësisë dhe reagimit ndaj kërcënimeve kibernetike.
Bëhet fjalë për Franc Zylyftarin, pjesë e Drejtorisë së Sigurisë e-Gov, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Adriano Lleshin e Ilir Daka, të dy ekspertë nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.
Duke folur për eksperiencën në garë, ku u simuluan skenarë realë të sulmeve kibernetike, Ilir Daka tha se u përpoqën që të gjenin pikat kyçe dhe të zgjidhnin me ushtrimet me shpejtësi.