Raporti ekskluziv/ Pas shkarkimit, Ilir Meta drejt SPAK-ut për nxitje dhune dhe urrejtje, rol të dyshimtë edhe në vrasjen e Pjerin Xhuvanit, detaje nga dokumenti 100 faqësh

5 Qershor 2021, 22:42 | Përditesimi: 5 Qershor 2021, 22:42

TIRANË- Pas shkarkimit të pritshëm në seancën e 9 qershorit 2021, Presidenti Ilir Meta mund të përballet me SPAK për dy vepra të rënda penale, thirrjet publike për veprime të dhunshme dhe thirrje për urrejtje nacionale. Report Tv ka siguruar raportin prej 100 faqesh të komisionit hetimor parlamentar, në të cilin propozohet jo vetëm shkarkimi i Ilir Metës nga posti i Presidentit, por kërkohet angazhimi i organeve hetimore për të nisur hetimet kryesisht ndaj Presidentit për nxirrje të dhunës dhe urrejtjes para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Në raport reflektohen thirrjet e Metës për dhunë, roli i tij në përplasjen mes Bashkisë së Tiranës dhe FRD-së, mbrojtja nga ana e tij e strukturës paramilitare të PD pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, duke analizuar qëndrimet e Metës në 19 emisione televizive, 9 deklarata për mediet, 45 postime në rrjetet sociale si dhe disa shkresa që u ka drejtuar institucioneve të pavarura në mënyrë të përsëritur.

“Komisioni Hetimor nuk hetoi faktet e mësipërme të thirrjes për dhunë apo urrejtjes ne kuadrin e veprave penale, pasi objekti i hetimit në këtë proces lidhet me pretendime për shkelje të rënda kushtetuese, dhe kjo është detyrë e organeve hetimore që për këto çështje mund të nisin hetimin dhe kryesisht sipas dispozitave ligjore në fuqi. Komisioni Hetimor vlerëson se aktet e sjelljet e Presidentit kanë frymëzuar dhunë dhe ndasi sociale...Sipas komisionit nxitje dhune dhe ndasie dhe shembuj për të zgjidhur situatat me vetëgjyqësi, gjenden dhe në sjelljet e Presidentit që analizohen në këtë raport në lidhje me konfliktin midis FRD dhe Bashkisë Tiranë...”, thuhet në faqet 81 dhe 82 të raportit.