Repolitix/Haxhinasto paralajmëron protesta pas 25 prillit: Po u prek vota do këtë reagim të madh popullor! Reagon Arben Pëllumbi: Kush shkel ligjin dënohet

7 Janar 2021, 23:21 | Përditesimi i fundit: 2021-01-07 23:39:47

Protestat e dhunshme të ndodhura në kongresin amerikan Calitol Hill krijuan një pamje që për shqiptarët nuk janë diçka e re, një pamje 'alla-shqiptarçe' që mbizotëron në çdo protestë të opozitës. Gjatë debateve në emisionin "Repoltix" në Report Tv, ish ministri i Jashtëm i LSI-së, Edmond Haxhinasto bëri një deklaratë të fortë duke paralajmëruar se këto protesta do të vijojnë edhe pas 25 prillit nëse do të preken zgjedhjet e lira. Haxhinasto shprehet se nëse preket vota e lirë do të ketë një reagim të madh popullor.

"Nëse do të preken zgjedhjet e lira të 25 prillit do të ketë protesta shumë të forta, protesta në mbrojtje të votës së lirë dhe demokracisë. Në Shqipëri ka një ndërgjegjësim shumë të madh qytetar që duhet të ketë një rotacion politik, që sistemi duhet ta mbrojmë të gjithë dhe demokracia është e brishtë dhe duhet mbrojtur. Këtë na e tregoi edhe Amerika. Duhet të jemi shumë të vëmendshëm që nëse zgjedhjet nuk do të jenë të lira do të ketë një reagim popullor të madh", tha Haxhinasto.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i sekretari organizativ i PS-së, Arben Pëllumbi i cili tha se nëse do të ketë tjetërsim të rezultatit, sigurisht që do të ketë reagim popullor.

"Nëse ka tjetërsim të rezultatit dhe nuk ka pasur zgjedhje të lira do të ketë reagim popullor, por nuk është kjo që na mëson Amerika, pasi kur ka fakte që është vjedhur vota si në 96, 2011 ku në tavolinë u ndryshua rezultati sigurisht që do të ketë reagim popullor. Oor në SHBA nuk ka prova, or ata dolën për të mbështetur Trump", tha Pëllumbi.