Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje në Lezhë/ Niveli i ujit arrin deri në 40 centimetra, pezullohet mësimi në shkollën "Kosova"

6 Janar, 08:57 | Përditesimi: 6 Janar, 08:57

Reshjet e dendura të shiut, të rëna gjatë orëve të natës, kanë shkaktuar probleme të shumta në qytetin e Lezhës.

Si pasojë e prurjeve të larta, rrjeti i kanalizimeve nuk ka arritur t’i përballojë, duke sjellë përmbytje në lagjen “Besëlidhja”.

Niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve. Situata ka krijuar shqetësim për banorët e zonës, të cilët janë përballur me vështirësi gjatë orëve të para të mëngjesit.

Ndërkohë, për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova” në Lezhë.

Po ashtu, raportohet rritje e ndjeshme e prurjeve në lumenjtë Drin dhe Gjadër, të cilët ndodhen në kuota kritike, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën nga afër.

A.M/Shqiptarja.com