Kryeministri Edi Rama nuk e ka kursyer një koment për opozitën teksa fliste para banorëve që do të merrnin shtëpitë e reja në Zall Herr. Teksa tha se nuk kanë parë gjë akoma, Rama u shpreh se nuk ka hile në banesat e reja, por i kanë trajtuar socialistët e demokratët njësoj. Megjithatë bëri një batutë duke thënë se ka prej atyre që janë si “arra gungse” që s’kanë për t’ja dhënë asnjëherë votën.
“Nuk i thuhet atij që i shembur shtëpia që nuk do të të bëhet kurrë shtëpia. Nuk i thuhet atij që mezi e nxjerr muajin se do të rritet çmimi i energjisë. Nuk mund t’i themi dikujt të sëmurë, që ty po ta vdesin mjekët. Këto nuk thuhen. Këto i thonë vetëm ata nuk kanë as fe, as atdhe, as din as iman. Prandaj do të mbeten aty ku janë. Le t’i thonë Lalit çfarë të duan ata, Lali këtu është. Lali duke ardhur shumë vërdallë në fshatra e kuptojnë si t’i kthejnë në hudhra që të mos e marrin mësysh se është më i buzëqeshur se unë.
Mes jush ka socialistë e demokratë, por shtëpitë janë njësoj. Nuk ka shtëpi me hile, janë njësoj si për ata që na e kanë dhënë votën, si ata që nuk na e kanë dhënë si ata që s’kanë për të na e dhënë sepse sic thonë tironcit, janë disa arra gungse që nuk bëhen. Le të mos e japin. Detyra jonë është t’i japim të gjithëve atë që i takon. Tërmeti nuk i zgjodhi socialistët e demokratët, ndaj ne po ju kthejmë atë që ju takon. Na bëni hallall çdo stres e shqetësim. Do donim t’i bënim më shpejt por kush mendon se jemi vonë, bëni ndonjë telefon nga Italia e pyetini sa vite kanë jashtë e do ju thonë 10 e 12. Ka disa që i kanë harruar fare. E thotë populli, nëse s’ma zgjidh dot hallin, të paktën ma qaj, por këta ta bëjnë më keq, të thonë ohu s’ke parë gjë hala, do zhytesh fare. Por ata s’kanë parë gjë hala”, tha Rama.