Rindërtimi, shtohen 7 mld lekë për përshpejtimin e procesit

9 Dhjetor 2021, 09:59

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj bëri me dije sot se është rritur me 7 miliard lekë financimi për rindërtimin këtë vit, me qëllimin për të përshpejtuar këtë proces. Pas mbledhjes së qeverisë, Ahmetaj tha se fondi i rindërtimit për këtë vit kalon nga 28 miliardë lekë në 35 miliardë lekë, duke shtuar se në fund të këtij viti do të jenë një numër i konsiderueshëm familjesh që do të kthehen në shtëpitë e tyre pas 2 vitesh.

“Sot kaluan një grup vendimesh për rindërtimin të cilat bëjnë avancim të konsiderueshëm të financimit për bashkinë e Tiranës dhe për të 10 bashkitë e tjera. Llogaria e rindërtimit pra i gjithë fondi i rindërtimit kalon nga 28 miliardë lekë në 35 miliardë lekë. Avancimi  është bërë për të përshpejtuar të gjitha proceset e rindërtimit për të kthyer në shtëpitë e tyre apo në shtëpitë e reja të rindërtuar amë fortë më moderne të gjithë qytetarët që në 2019, 26 nëntor u detyruan të largoheshin si nga shtëpitë  dhe nga institucionet.  Kjo me të njëjtën logjikë për të përshpejtuar rikthimin e familjeve në shtëpi. Gjithandej do kemi një numër të konsiderueshëm familjesh që do kthehen në shtëpitë e tyre pas gati  2 vitesh”, tha Ahmetaj.