Romina Kuko: Tërheqja e gjobës ndaj Veliajt tregoi se nuk kishte çështje të debatueshme!

18 Shkurt 2021, 21:27 | Përditesimi i fundit: 2021-02-19 09:23:45

Kryetarja e Këshillit Bashkiak Tiranë, Romina Kuko gjatë një interviste për Report Tv, foli mbi procesin e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ajo tha se aktualisht janë 400 banesa të cilat janë miratuar në vlerën e rindërtimit për qytetarët në nevojë ndërsa 199 familje firmosën kontratat në Kombinat. Kuko u shpreh se aktualisht ka 540 familje që marrin dëmin për  rindërtimin e banesave të tyre.

"Këshilli Bashkiak, po ju përmend vendimin tonë të fundit. Janë 400 banesa të cilat janë miratuar në vlerën e rindërtimit për qytetarët që kanë nevojë. 199 familje firmosën kontratat në Kombinat këtë muaj si dhe kemi 540 familje të cilat marrin vlerën e dëmit për rindërtimin e banesave të tyre. Këto janë numra që duken abstrakt. Po flasim për familje që kanë nevojë urgjente. Për ne çdo qytetar ka rëndësinë e vetë. Këshilli Bashkiak është i fokusuar në procesin e rindërtimit. Ne kemi pasur vendime të rëndësishme për bonuset e qirave. Jemi kujdesur që familjet të marrin bonusin e duhur. Ka ekipe të mëdha që vlerësojnë dhe nevojat që qytetarët kanë. Vendimet e Këshillit Bashkiak, kemi një kompensim si në bonuset e qirave por dhe për rindërtimin e dëmeve.

Ka një mbështetje sociale nga shërbimi social por dhe një mbështetje prej 6 % nga bashkitë e vendit. Fasha e 6% të merrte përtej mbështetjes ekonomike, të merrte dhe ndihma të tjera ushqimore dhe barna. Duhet thënë që kemi pasur një mbështetje të mirë. Ekipet e bashkisë vijojnë të ndihmojnë të moshuarit e vetmuar dhe grupin tjetër të personave në nevojë" - tha Kuko.

Romina Kuko foli dhe për gjobën e tërhequr nga KQZ ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. Ajo u tha se përderisa kjo është tërhequr, nuk ka pasur asnjë çështje për t'u debatuar.

"Në momentin që gjoba e apeluar tërhiqet, do të thotë që nuk ka pasur asnjë çështje. Përsa i përket propagandës, janë fjalë në erë po asgjë konkrete. Në rastin konkret ne kemi llaç, tulla, qytetarë që marrin çelësat e banesave. Njerëz që futen në shtëpitë e tyre, lehtësohen nga rëndesa e të mospasurit strehë në kokat e tyre. Nuk ka çështje dhe nuk dua të komentoj asgjë. Gjoba u tërhoq ndërsa qytetarët vijojnë të futen në banesat e reja. Ne duam të shohim njerëz të lehtësuar" - tha Kuko.