Në nisje të debatit për rritjen e çmimeve, deputetja e PD, Jorida Tabaku u shpreh se vendi nuk është goditur nga kriza e luftës por kriza e korrupsionit.
"Infacioni po shoqërohet me një rritje të jashtëzakonshme të varfërisë. kjo situatë kishte lindur pa nisur agresioni rus. Në kohën e krizës së shpallur nga qeveria ne menduam se do të kishte menaxhim më të mirë. Në momentin kur qeveria duhet të shiste energji ajo blinte, kur duhet të blinte ajo shiste. Ne thamë që qeveria duhet të marrë masa për një krizë që nuk ka lidhje me dinamikën botërore por e nisur shumë më herët.
30% e shqiptarëve sot jetojnë më pak se 5 dollarë në ditë. Kjo është kriza që vjen nga koncesionet dhe PPP-të. Kriza e korrupsionit është ajo që ka trokitur në derën tonë, jo kriza e luftës. Nuk bën habi që kryeministri hesht dhe nuk thotë asnjë fjalë për monopolet", tha Tabaku.
Sipas saj 60% e çmimit të karburantit sot janë taksa.
"Unë besoj që sot kostot e jetesës në Shqipëri janë rritur si rezultat vetëm e politikave që kjo qerveria ka ndërmarrë. Kjo qeveria ka goditur punën. Për këtë arsye protestuesit kanë mbushur rrugën. Edi Rama nuk ndryshon, ai sapo merr pushtetin rrit taksa, abuzon", tha Tabaku.