Saga për një ministër, i ftuar Astrit Patozi

16 Janar 2019, 09:14

Përplasja qeveri-presidencë ishte në fokus të emisionit të sotëm të "5 pyetjeve nga Babaramo" në Report TV, ku të ftuar ishin ish-deputetët Kastriot Islami dhe Astrit Patozi. Ish-ministri socialist në qeverinë "Nano" u shpreh se argumentet e Ilir Metës për kthimin e dekretit për Gent Cakajn janë bindëse. Islami komentoi edhe ndryshimet qeveritare, ku sipas tij e "keqja" nuk është larguar. Islami tha se duhet të largohet vetë Rama në mënyrë që të largohet e keqja.  Astrit Patozi, tha se protesta e studentëve i dha një tjetër hov politikës dhe qeverisjes në Shqipëri. Patozi tha se studentët rrëzuan trecerekun e qeverisë. I ndalur tek situata brenda të djathtës, Patozi tha se lidershipi i Bashës është i dështuar dhe nuk mund të zhvillojë kurrë zgjedhje të lira e të ndershme, fillimisht brenda PD. Patozi tha se ka patur kontakt nga Basha që të rikthehej në PD, por ai ka sqaruar se nga PD është larguar për arsye parimore dhe jo personale, prandaj nuk mund të rikthehet. Patozi paralajmëroi krijimin e një partie të re politike që anon nga e djathta.

 

Patozi: Jam i prirur për një lëvizje të re politike që anon nga e djathta 

Ish-kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, tha se është i prirur për t’u bërë pjesë e një grupimi të ri politik, një lëvizjeje që është më afër të djathës, pasi sipas tij, Shqipëria ka më shumë nevojë për një parti të djathtë. “Do isha i prirur për një lëvizje të re politike, të djathtë, se e djathta ka më shumë nevojë. Nëse ka terren do e bëja me shumë dëshirë, në rast se jo do të mbetem shikues i hollë i politikës.”-tha Patozi.