Sallabanda për Report Tv: Varianti i ri i COVID-19 problematik, mund të sjellë kolaps në spitale! Bëni një sforco morale

22 Dhjetor 2020, 23:15

TIRANË- Prof. Kita Sallabanda nga Spanja ka bërë me dije se fakti që varianti i ri i COVID-19 nuk është më i rrezikshëm, nuk paraqet një rrezikshmëri më të ulët. Kjo sepse sipas tij, fakti që ai transmetohet më shpejt, do të thotë një numër më i lartë i të infektuarve që mund të sillte një kolaps në spitale. Ai tha se një problem i thekuar në këto momente është edhe mungesa e testeve për ta identifikuar këtë virus.

"Thjesht përhapet më shpejt, të dhënat që kemi janë jo shumë të sakta se po i studiojmë. Vijnë nga informacionet që jep Britania e Madhe. Fakti që virusi hapet më shpejt është sërish një problem, kemi njerëz të infektuar më tepër, do fillojë kolapsi i spitaleve, nuk është agresiv, përhapet më shpejt, infekton më shumë njerëz dhe kjo në fazë të dytë mund të sjellë kolaps të spitale dhe në fazë të tretë të mbushjes së reanimacionit. Nuk kemi asnjë analizë specifike për këtë virus, disa teste që ne po përdorim, nuk janë në gjendje që të dallojnë këtë virus, ka teste që nuk e diagnostikojnë këtë mutacion të ri, ky është një problem i shtuar, se lidhet me mënyrën e vaksinës apo kurimin, ka shumë probleme", tha Sallabanda.

Ai shtoi se në Spanjë masat janë më të ashpra se në Shqipëri, prandaj u bëri një apel qytetarëve që këto festa të fundit, të shmangin grumbullimet.

"Virusi hapet në bare restorante dhe palestra, tri qendrat kryesore. Kemi marrë masa që të bllokohen këto vende dhe të lejojë deri në 6 veta të mblidhemi në shtëpi masat që kemi marrë janë më drastike, mendojmë se ne jemi më të kufizuar sesa jeni ju në Shqipëri, por mendoj që këto festa të bëjmë një sforco morale, që për të mos pasur një valë të tretë duhet t'i kufizojmë të paktën një herë në jetë këto grumbullime", tha Sallabanda.