Kreu i koalicionit “Djathtas për Zhvillim”, deputeti Dashamir Shehi, u shpreh se ka bindjen se rotacioni politik do ndodhte më 11 maj, pasi situata duhet të ndryshojë dhe është koha e duhur.
Kurse ‘dashurinë’ Basha-Rama me video-postime dhe këngë në rrjetet sociale ai i quajti groteske dhe si garë për klikime.
Shehi sugjeroi se nëse duan më shumë klikime, Basha dhe Rama të dalin lakuriq se marrin më shumë, teksa shprehu edhe keqardhjen për të parin që ka rënë në nivelin e kryeministrit, i cili shquhet për batuta.
“Unë them se do ketë rotacion, sondazhet nuk kanë shumë peshë për mua, duke parë atë që ndodhi në SHBA. Grupet alternative do mbledhin votat dhe do bëjnë të mundur rotacionin. Te ne duhet rotacion vertikal, ta përmbysi situatën. Ka kapacitete në Shqipëri për t’u arritur. Na kanë qeverisur dy vetë, Rama-Berisha, ka nevojë për ndryshim. Tre dekada të njëjtët njerëz”, tha ai për situatën elektorale.
Kurse për replikat “repiste” mes kryeministrit dhe ish-kreut të PD-së shprehu keqardhje dhe dha një këshillë.
“Kjo është grotesk. Mua më vjen keq që edhe Basha ka rënë në këtë gjendje, edhe pse politika e ka edhe humorin. Kjo është për të marrë klikime. Por për këtë gjë më mirë të dalin lakuriq se i klikojnë më shumë, ose Big Brother. Nëse është kjo politika me makina, në sensin e humorit politik, mua më vjen keq për Bashën se Rama e ka pasur të tijën batutën, e ka përdorur shumë. Por kjo është estradë, humor del e bën te lokali lagjes”.