Shengeni ballkanik apo bashkimi kombëtar i ftuar Albin Kurti

12 Nëntor 2019, 15:27 | Përditesimi i fundit: 2019-11-12 15:27:33

Albin Kurti, fituesi i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe kandidat për kryeministër i qeverisë së re u shpreh në një intervistë për emisionin '5 Pyetjet  nga Babaramo' në Report Tv se është kundër iniciativës së bashkëpunimit rajonal të Shengenit Ballkanik në këtë formë që po krijohet. Ai e cilësoi si të gabueshme dhe e pashpjegueshme ngutjen që me doemos të mbahej tani kjo mbledhje në Ohër, kur dihej se Kosova nuk do të merrte pjesë. Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria më parë duhet të heqin barrierat mes tyre dhe më pas të mendojnë për nismat rajonale, ku kërkoi më tej që të ketë një politikë të përbashkët. "Ne nuk mund të flasim me të tretët pa u marrë vesh më parë mes veti. As Tirana dhe as Prishtina nuk bën të shkojnë në nisma rajonale pa folur më parë me njëra tjetrën. Nuk ma ka marrë mendja se do të mbahet mbledhja e Ohrit pa Kosovën, pas asaj që ndodhi në Serbi”.

E ndërsa u ndal edhe njëherë te biseda me Edi Ramën pak javë më parë në Tiranë, Kurti deklaroi se si kryeministër i ardhshëm i Kosovës parësore do të ketë forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë duke vendosur edhe disa piketa. "Përveç komisioneve të përbashkëta, është mirë të kemi edhe regjistrin e përbashkët civil dhe të biznesit. Pajtohem për sistemin energjetik të përbashkët KESH dhe KEK". Ndërkohë që ironizoi propozimin e kryeministrit Rama për një ministër shteti të përbashkët? "Në 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryeministri Rama propozoi një president të përbashkët, ajo u harrua, tani ramë te ministri i shtetit dhe tani kjo po harrohet edhe më shpejt. Daullet i kanë marrë Lorik Cana dhe Rita Ora, duhet të shkojmë përtej atyre, prej nesh priten plane, punë dhe buxhet".

Përsa i përket taksës së mallrave me Serbinë, Kurti ritheksoi se do të hiqet dhe do të zëvendësohet me reciprocitet. Po cfarë do të thotë kjo? "Serbia ka nevojë të ndryshojë Kushtetutën e saj për heqjen e Kosovës. Unë dua reciprocitetin. Nëse një serb me diplomë në Nish apo Beograd vjen punon në Grashanicë, pse një djalë nga Presheva që diplomohet në Prishtinë të mos japë mësim në Preshevë? Ky parim është oferta ime për Serbinë dhe parim i reciprocitetit është kriteri normal" tha ai.  Gjatë intervistës Kurti foli edhe për shumë cështje të tjera.